Pr-Tech
 

Google Pr-Tech
Punime Artikuj tė Shkurtėr Mėsime Praktike

 

Kategoritė e Punimeve

Programim / KoncepteHarduer / StandardeSigurim / KriptologjiSisteme OperativeRrjeta / TelekomunikimHapėsirė / ShkencėAplikacione SistemorePolitikė / Kulturė / BiznesMbulime EkskluziveLibra Digjital

CeBIT 2005 - Mbulim Ekskluziv nga Pr-Tech
Mbulime Ekskluzive - 19/03/2005 - Shkruar nga: Genc B. KASTRATI - genc.kastrati ET pr-tech PIKĖ net
Pėr shtypės

Koment:, Raporti i Pr-Tech është krijuar nga vizita një ditëshe në CeBIT gjatë 15 Mars-it 2005. Shkrimi flet për dallimet mes CeBIT 2002 dhe 2005, nga përvoja personale e autorit, pikat kryesore të CeBIT 2005, argëtimin digjital dhe mediat e integruara, kompjuterikën personale, infrastrukturën komunikuese me dhe pa tela, sistemet telekomunikimit, veprimet e NTT DoCoMo në gjeneratën e 3 dhe 4 të telefonisë mobile, si dhe ekspozitat e tjera që ishin në CeBIT.
Raporti Ekskluziv nga CeBIT 2005 në Hannover nga Pr-Tech

Hyrje mbi Raportin Ekskluziv


Raporti i Pr-Tech është krijuar nga vizita një ditëshe në CeBIT gjatë 15 Mars-it 2005. Shkrimi flet për dallimet mes CeBIT 2002 dhe 2005, nga përvoja personale e autorit, pikat kryesore të CeBIT 2005, argëtimin digjital dhe mediat e integruara, kompjuterikën personale, infrastrukturën komunikuese me dhe pa tela, sistemet telekomunikimit, veprimet e NTT DoCoMo në gjeneratën e 3 dhe 4 të telefonisë mobile, si dhe ekspozitat e tjera që ishin në CeBIT.

Hyrje mbi CeBIT Hannover

CeBIT është një nga panairet më të mëdha dhe më të rëndësishme mbi teknologji në botë. Panairi mbahet çdo vit në Hannover të Saksonisë Jugore në Gjermani. CeBIT i 2005 zgjati nga 10 deri më 16 Marsi. Panairi mbahet në Messe të Hannoverit, në një hapësirë e cila përmban mbi 27 salla të mëdha.

Për herë të parë CeBIT kishte ekspozitën Digital Imaging Area e cila koncentrohej në fotografi dhe procesim digjital të pamjeve ndërsa Linux Forumi, i nisur në 2004, vazhdoi të prezanton shumë projekte të Open Source. Sallat e panairit ishin të ndara në kategoritë: proceset e biznesit, komunikimet, pajisjet dhe sistemet digjitale, financat dhe bankieri, parku mbi sektorin publik, parku i së ardhmes.

Plani i sallave të CeBIT


Për ata të interesuar ta vizitojnë panairin në 2006 duhet këshilluar që të rezervoni paraprakisht fjetjen në Hannover. Përndryshe duhet të vendoseni në një nga qytetet e afërta si Hildesheim. Për studentët sugjerohet fjetja në Youth Hostel (Ger: Jugendherberge). Arritja në Hannover përmes trenave është mjaft e thjeshtë, kështu që transporti nuk është problem edhe nëse gjendeni jashtë Hannoverit.

Dallimet mes CeBIT 2002 dhe 2005

Autori i shkrimit ka pas rastin t'a viziton CeBIT 2002 dhe një nga gjërat që bien në sy më së shumti është pjekuria e komunikimeve pa tela. Në 2002 teknologjia pa tela ishte ende në fazat rinore. Shumë pak prodhues ishin të gatshëm të hynë në këtë treg dhe në 2002 kjo ishte e qartë. Por tani, me kohë mund të themi që teknologjitë 802.11 janë bërë një nga standardet e komunikimit, gjë që vërehej shumë në CeBIT 2005. Aty ku reklamohej Ethernet-i me tela, ishte edhe 802.11.

Një nga dallimet tjera ishte edhe koncentrimi në teknologjitë Ethernet, që në 2002 nuk ishte aq e madhe. Paraqitja e VoIP ka ndikuar shumë në caktimin e drejtimit të zhvillimit të teknologjive pa tela dhe me tela.

Prania e Linux-it në 2002 ishte e kufizuar, gati jo ekzistuese, por në 2005 Linux-i, i cili nuk kishte ndonjë ekspozitë të madhe, mund të gjindej në ekspozitat e IBM, Novell, si dhe një numër i madh i kompanive të vogla.

Pikat kryesore të CeBIT 2005

Disa gjëra që dalloheshin qartë në këtë vit në CeBIT ishin ngritja e Kinës si fuqi prodhuese dhe konsumuese, pjekuria e WiFi pajisjeve pa tela, prania e VoIP dhe ndikimi i kësaj teknologjie në komunikimet me tela, gjenerata e tretë 3G e telefonave mobil, ndikimi i lojërave në zhvillimin e harduerit, dhe koncentrimi i kompanive në argëtim digjital në shtëpi.

Prej të gjitha këtyre, Kina mund të konsiderohet si ajo më e rëndësishmja. Kompanitë Kineze ishin të prezantuara me një reklamë të njëjtë e cila kishte të shkruar me të mëdha “China”. Numri i kompanive Kineze ishte mahnitës, sidomos në sektorin për pajisje digjitale personale. Deri sa në të kaluarën Kina prodhonte pajisje dhe komponente për kompanitë Japoneze, Amerikane, Koreane, dhe Europjane, dhe tani kompanitë Kineze kanë filluar të vendosin emrin e tyre po në këto prodhime.

Shumica e ekspozitave Kineze ishin të identifikuara me këtë reklamë. Foto nga J.L.

Si rezultat, CeBIT ishte përplot me kompani Kineze të cilat ekspozonin prodhime si USB kartelat, pllakat amë, memoriet, kamerat digjitale, MP3 lexuesit, ekranet, dhe pajisje tjera të prodhuara në masë.

Duhet cekur që kur njeriu kalonte pranë ndonjë ekspozite Kineze dallohej krenaria me të cilën mbarteshin këto kompani, sidomos mbasi që të gjitha prezantoheshin në mënyrë uniforme.

Shumë nga gjigantët e informatikës dhe teknologjisë ishin të pranishëm në CeBIT 2005, ndërsa disa mungonin tërësisht, si p.sh. AMD.

Argëtimi Digjital dhe Integrimi i Mediave

Intel këtë vit e vendosi në ekspozitë PC-në më të vogël në botë të paraparë për automjete. PC-ja më e vogël e Intel është paraparë për argëtim, komunikim, dhe navigacion. Mini PC-ja e Intel ka shumë ngjashmëri me atë të Apple, por si me çdo prodhim të tillë, Intel vet nuk do t'a prodhon Mini PC-në por e përdori CeBIT si rast për t'i inspiruar prodhuesit tjerë për ta bërë këtë.

Pamje nga ekspozita e Intel. Foto nga J.L.

Pjesa e ekspozitës e cila tregonte historinë e Intel. Ky ishte një ekran prekës i ndërtuar nga katër projektora dhe sensora për prekje. Foto nga J.L.

Integrimi i TV-së, muzikës, filmave, në një kompjuter të vetëm ishte tema e shumë prodhuesve. Ekspozita e Microsoft-it gjithashtu koncentrohej në integrimin e mediave. Microsoft këtë shpreson ta arrijë përmes Microsoft Windows XP Media Center 2005. Media Center 2005 i mundëson përdoruesit shumë gjëra të reja, si vëzhgimi i një programi deri sa një tjetër regjistrohet, përkrahja për Digital dhe High Definition programet, mundësia e shkrimit të mediave në CD dhe DVD, si dhe vegla tjera të shumta. Microsoft gjithashtu prezentoi zgjidhje të ndryshme për administratë publike, shëndetësi, edukatë, dhe qeverisje elektronike (Ang: e-governament).

Microsoft Windows XP Media Center 2005. Foto nga J.L.

Numri i kompanive të cilat ofronin softuer dhe zgjidhje për integrimin e mediave ishte tepër i madh por prodhimet të gjitha mundësonin që përdoruesi nga një pikë e vetme të ketë qasje në të gjitha burimet e mediave.

Kompjuterika Personale

Kur vjen fjala tek kompjuterët personal, një gjë që mund të dallohej në CeBIT 2005 ishte prezenca e kompanive të cilat prodhojnë shtëpiza të PC-së. Koncentrimi i shumicës së kompanive ishte ulja e zhurmës dhe përmirësimi i ftohjes së CPU-së. Një nga kompanitë e tilla ishte Silentmaxx e cila prodhon shtëpiza të cilat janë të modifikuara të mos prodhojnë zhurmë. Kompania Gjermane, gjithashtu ka krijuar furnizues (Ang: power supply) i cili nuk përmban ventilator, por përdorë dyer të ndërtuara në shtëpizë për ta mundësuar rrjedhjen e ajrit.

Shtëpiza nga Silentmaxx me furnizuesin energjetik pa ventillator. Foto nga J.L.

Një kompani tjetër Zvicrane, Arctic Cooling Ag, gjithashtu ekspozoi shtëpizën Silentium T-Series. Arctic Cooling ka konsideruar nevojat akustike si dhe termodinamike për ndërtimin e shtëpizave Silentium. T-Seria nuk i përcjellë rregullat e termodinamikës të shtëpizave ATX të zakonshme. Shtëpiza ka aftësi të largon ajrin e ngrohur, dhe të nxjerrë atë të ftohët në mënyrë më efikase. Zhurma e diskut gjithashtu zvogëlohet përmes kutive speciale për disk. Arctic Cooling pohon se shtëpiza e tyre ka efikasitet energjetik 75% – 80%, ndërsa zhurma nga vet PC-ja po thuajse është jo-ekzistuese.

Në këtë CeBIT ishin të pranishme edhe shumë kompani të cilat prodhojnë kompjuterë të rezistencës së lartë, pra kompjuterë të cilët janë të paraparë për punë në vende ku dëmtimi i tyre është i mundur.

Një nga kompanitë e tilla është Dolch, e cila prodhon kompjuterë mbartës të cilët mund t'i nënshtrohen kushteve të vështira. Dura Note apo NotePAC, është kompjuter fletore, me CPU Pentium M, 802.11b/g, 10/100 Base-T, GPRS/GSM, Bluetooth, dhe GPS, i parashikuar për nevoja ushtarake dhe përdorim në teren. Dura Note mund të punon në temperaturat prej -40°C deri më +70°C, në lagështi 5% deri më 95%, në lartësi 4,571 m, dhe mund të lëshohet nga më shumë se një metër në beton. NotePAC mund të punojë edhe në shok prej 10g 11ms ½ sin.

Kompjuteri fletore NotePAC nga Dolch i paraparë për kushte të vështira. Foto nga G.K.

Dolch gjithashtu ekspozoi FlexPAC, kompjuter i parashikuar për përdorim industrial i cili mund të mbartet. Shtëpiza e FlexPAC është e ndërtuar nga fibrat e përforcuar polikarbonik dhe aluminit. Ekrani i FlexPAC është 14” XGA TFT. Parametrat operues të FlexPAC janë të ngjajshëm me NotePAC.

Kompjuteri fletore FlexPAC nga Dolch i paraparë për përdorim industrial Foto nga G.K.

Një nga kompjuterët më interesant që i prodhon Dolch është MilPAC, i parashikuar për zona luftarake dhe mjedise jo-miqësore. MilPAC është kompjuteri i cili përdoret në gjitha ato mjedise ku mundësia e dëmtimit nga aksidentet është tepër e lartë. Shtëpiza e MilPAC është e izoluar edhe ndaj pluhurit edhe ndaj shiut. Temperatura operuese e MilPAC është -10°C deri më +50°C, ndërsa makina mund të përjeton shokun prej 15g 8 ms.

Kompjuteri fletore MilPAC nga Dolch i paraparë për përdorim në zona të luftës. Foto nga G.K.

Dolch gjithashtu prodhon ekrane të parashikuara për përdorim të jashtëm. Ekranet e tilla mund të gjejnë zbatim jashtë bankave ku mundësia e dëmtimit është e lartë. Një nga prodhimet e tilla të Dolch është ekrani Orca që është i kategorizuar si NEMA 4/IP 66 për depërtim të ujit dhe pluhurit. Vlera e kontrastit të Orca është 400:1, ndërsa ndriçimi 270 nit, që do të thotë pamja në ekran mund të shihet edhe në dritë të ditës.

Një kompani tjetër e cila gjithashtu ofronte kompjuterë industrial dhe për nevoja speciale ishte kompania Zvicerane/Gjermane Penta. Një nga prodhimet më interesante të Penta ishte Mobile (HH) i parashikuar për nevoja mjekësore. Kjo makinë mund të lëshohet nga një metër dhe është rezistuese ndaj ujit, pluhurit. Makina gjithashtu ka aftësi të lidhet me pajisje të ndryshme mjekësore.

René Zimmermann nga Penta mban në duar kompjuterin e paraparë për përdorim në fushën e mjekësisë. Foto nga J.L.


Demonstrimi i kushteve të cilat ekranet mund të përballojnë. Foto nga J.L.

Përdoruesit e kompjuterëve fletore do të ishin tepër të kënaqur me CeBIT-in e 2005. Konkurrenca në këtë treg ishte tepër e madhe mbasi që po thuajse të gjitha prodhimet ishin të fuqisë së lartë, të lehta, dhe me kohëzgjatje të mirë të baterive. Një nga prodhimet të cilat binin në sy ishte Sony Vaio T-Series i ridizajnuar të jetë më i lehtë.

Sony Vaio T-Series. Foto nga G.K.

Sigurimi Fizik i Infrastrukturës

Një gjë që me kohë po fiton mjaft vëmendje është hapësira e sigurt për infrastrukturën kompjuterike. CeBIT kishte një numër relativisht të vogël të kompanive të cilat ofronin hapësira të sigurta (Ang: safe) për harduerin kompjuterik.

Një nga këto kompani ishte Lampertz nga Gjermania e cila i ofron klientëve zgjidhje sipas dëshirës dhe nevojës. Një nga prodhimet e tilla ishte hapësira e sigurt TDR B/M, e parashikuar për mbrojtje të sistemeve IT dhe arkivuese. TDR B/M është hapësirë e cila mbrohet ndaj zjarrit, ujit, gazrave që shkaktojnë korrozion, fushave elektromagnetike, qasjes së pa-autorizuar, sulmeve fizike, tërmeteve, shpërthimeve, dhe pluhurit. Lampertz në hapësirat e sigurta ndërton tërë infrastrukturën përkrahëse si furnizimi elektrik, lëvizja e ajrit, UPS, sistemet për detektim të zjarrit, sistemet për shuarje të zjarrit, sistemet për kontrollim të qasjes, si dhe sisteme tjera vëzhguese.

Pamje nga larg e TDR B/M. Foto nga J.L.

Dyert e siguruara të TDR B/M. Foto nga J.L.

Këto janë simbolet e kushteve të cilat TDR B/M është e dizajnuar të përballon. Foto nga J.L.

Mbasi që është fjala tek shuarja e zjarrit, metoda më shpikëse deri tani që është ekspozuar në CeBIT ishte ajo e kompanisë Gjermane Kidde Deugra. Kjo kompani prodhon sistemin për shuarje KD-1230, të përbërë nga përmbajtësit (Ang: container) të mbushur me substancën kimike Novec 1230.

Ekrani i aktivuar i kompjuterit i zhytur në Novec 1230. Foto nga J.L.

Novec 1230 duket sikur uji por avullohet shumë shpejtë. Substanca nuk është e rrezikshme për njeriun dhe mund të preket. Novec 1230 është zhvilluar nga 3M dhe është lëng miqësor ndaj mjedisit dhe jo-ndotës. Pas avullimit gazi qëndron në atmosferë vetëm 4 ditë. Novec 1230 është i përbërë nga Karboni, Flori, dhe Oksigjeni, formula e të cilit është CF3CF2C(O)CF(CF3)2. Novec 1230 mund të përdoret për shuarjen e zjarrit në hapësira ku gjindet elektronika mbasi që nuk përçon rrymën elektrike, pra nuk ka aftësi t'i dëmton ato.

Infrastruktura Komunikuese Me Tela dhe VoIP

Shumë nga prodhuesit këtë vit kanë ekspozuar prodhime për përkrahjen e router-ave, switch-ave, dhe pajisjeve tjera për lidhje me tela apo pa tela. Shpërthimi i përdorimit të lidhjeve të shpejta, apo të brezit të lartë (Ang: broadband), si dhe Voice-over-IP apo VoIP ka ndikuar që lidhjet në përmasa gigabitëse, si dhe teknologjitë tjera të shpejta pa tela të dominojnë në krahasim me vitet e kaluara.

Këto zhvillime shkaktuan që shumë kompani të ekspozojnë raftat për pajisje rrjetore të specializuara për nevojat e sotme. Për shembull Rittal nga Gjermania kishte në ekspozitë rafta të cilët ishin të specializuar për kontrollim të klimës punuese për pajisje, të furnizimit elektrik të vazhdueshëm edhe në raste të jashtëzakonshme, si dhe siguri fizike ndaj thyerjës.

Vija e prodhimeve RimatriX5 nga Rittal është e specializuar për siguri fizike përmes sensorave për vibrime, tym, temperaturë, si dhe metoda për kontrollimin e qasjës, dhe shuarjën e zjarrit. Raftat e Rittal nuk janë hapësira të sigurta sikur të Lampertz por janë vetëm struktura që mbartin pajisjet rrjetore.

RimatriX5 gjithashtu posedon sistemin për Vëzhgim dhe Kontrollim nga larg si dhe sistemin ftohës të lëngët. Përveç përparësive praktike të Rittal raftave, kompania ka zhvilluar module për furnizim elektrik, module për shpërbërje të nevojave elektrike, si dhe module për UPS (Utility Power Supply). Raftat e Rittal gjithashtu mundësojnë ftohjen direkte të CPU-së, njësive furnizuese nga vet rafti, që do të thotë sistemi ftohës i lëngët i raftit mund të përdoret për vet serverat.

Cisco CRS-1 - router-i më i shpejtë në botë. Foto nga G.K.
Cisco këtë vit kishte në ekspozitë router-in më të shpejtë në botë, CRS-1 si dhe shumë prodhime që kanë të bëjnë me VoIP. Pika kryesore e Cisco ekspozitës ishte Integrated Services Router. Kjo vijë e prodhimeve është e parashikuar për më shumë se vetëm shkëmbimi i paketave. Cisco shpreson se këto router-a do të përdoren nga ndërmarrjet e vogla/mesme për nevojat e tyre komunikuese sepse iu mundësojë atyre të kontrollojnë më lehtë funksionet e biznesit. ISR mund të lidhet për internet përmes ISDN, ADSL, SHDSL, Frame Relay, ATM dhe Ethernet. Router-at e tillë gjithashtu përmbajnë firewall. Routerat posedojnë aftësi QoS, si dhe rrugëtim inteligjent. Një nga përparësitë e ISR është Power over Ethernet (PoE) që mundëson furnizimin energjetik për pajisje si AP-të, IP telefonat, dhe kamerat vëzhguese përmes Ethernet-it.

Router-at posedojnë edhe CallManager Express, që lejon menagjimin dhe lansimin e rrjetit telefonik IP me 240 telefona. Në këtë rast PBX është i lokalizuar në vet router-in ndërsa konfigurimi mund të bëhet nga shfletuesi i thjeshtë. Router-at e ri të Cisco janë të specializuar edhe për ruajtjen e sigurimit. IOS firewall-i, IDS, enkriptimi i shënimeve, dhe Network Admission Control.

Cisco është duke u koncentruar shumë në telefoni të internetit apo VoIP. Foto nga G.K.

IP telefoni nga Cisco. Foto nga G.K.

Në CeBIT 2005 Cisco dhe 3Com ishin të përqendruara mjaft në VoIP. Integrimi i aftësive VoIP në routera si dhe pajisje tjera të rrjetave është duke u bërë standard. Të dy kompanitë gjithashtu zbatuan PoE (Power over Ethernet) në prodhimet e tyre, gjë që përdoret shumë për t'i fuqizuar telefonat IP. PoE është i bazuar në standardin (ende në punim) IEEE P802.3af.

Telefonia Mobile dhe Infrastruktura Komunikuese Pa tela

CeBIT 2005 ishte i dominuar nga telefonia mobile. Kjo mund të vërehej nga numri i ekspozitave që kishin të bëjnë me telefona celularë. Përveç zgjidhjeve të shumta për komunikim personal, disa nga kompanitë si Nokia ofronin zgjidhje të parapara për biznese dhe shërbime urgjente.

Një nga ekspozitat e Nokia ishte zgjidhjet Mobile VPN. Kjo zgjidhje e zgjeron rrjetin e ndërmarrjës në pajisje mobile sikur telefonat, PDA-të, dhe komunikatorët e Nokia-s. VPN-i i kësaj zgjidhje është i ndërtuar nga IPSec dhe mund të menaxhohet lehtë. Autentifikimi i pajisjeve bëhet përmes Nokia SSM bazës së shënimeve, apo përmes zgjidhjeve të jashtme si Radius apo LDAP.

Zgjidhja e plotë Nokia Mobile VPN. Foto nga G.K.

Këtë vit zgjidhja e Nokia për shërbime urgjente si policia, zjarrfikësit, kishte ndërtesën e ndarë speciale. Fjala është për sistemin Tetra, e cila është në treg që nga 1996 por tani ka aftësi të mbart shënime në shpejtësi më të mëdha. Sistemi Tetra është sistem komunikues digjital që i ngjanë radios por në dallim me ato si Motorola (që kryesisht përdoren në Europën Jug-Lindore) ky sistem është digjital dhe i përkrahur tërësisht nga Nokia.

Ekspozita e Tetra në CeBIT 2005. Foto nga J.L.

Pamje nga ekspozita e Nokia mbi Tetra sistemin komunikues. Foto nga J.L.

Tetra është sistem i testuar dhe efikas për nevoja të shërbimeve urgjente i cili është duke u përdorur me sukses në Finland, Skandinavi, dhe shtetet e Europës perendimore. Në krahasim me konkurencën, Nokia përveç që ofron infrastrukturën, ajo ofron edhe vet telefonat/radio-të, trajnimin, mirëmbajtjën, si dhe gjëra tjera specifike për shërbimet që e përdorin Tetra. Sigurimi i Tetra nuk është thyer që nga lëshimi i saj në treg.

Vesa Jokinen mban në duar Tetra njësinë komunikuese të prodhuar nga Nokia. Foto nga J.L.

Sipas Vesa Jokinen nga ekspozita e Nokia-s, kompania Finlandeze është duke punuar me autoritet në Kosovë për të zbatuar Tetra si sistem komunikues për policinë dhe shërbimet tjera urgjente Kosovare.

Përveç këtyre prodhimeve, Nokia gjithashtu ekspozoi telefonat e ri si Nokia 9300. Ky telefon duket shumë ngjashëm me komunikatorët por është pak më i vogël dhe me dizajnë më të rrjedhshëm. Ekrani dhe tastiera e 9300 janë të mëdha dhe ergonomike. Nokia gjithashtu ofron shumë module të ndryshme si atë për GPS, apo lidhje pa tela.

Komunikimet pa tela gjithnjë po përmirësohen, shembull i kësaj ishte edhe Nec PASOLINK, sistem komunikues pikë-në-pikë pa tela që punon në brezin 4 GHz mikrovalë, deri më 52 GHz milivalë. PASOLINK ka aftësi të transmetojë nga 1.5 Mbps deri më 155 Mbps. PASOLINK Mx është sistemi më i lehtë për relejë (Ang: relay) mikrovalë. Nec gjithashtu ka mundësuar që Mx të lidhet me LAN. PASOLINK mund të gjejë përdorim në rrjeta mobile GPS/GPRS/UMTS, LAN/WAN, si dhe lidhje me fije optike. Mx mund t'i ketë deri më 40 kanale me brezin transmetues 2 Mbps.

PASOLINK sistemi nga Nec. Foto nga J.L.

PASOLINK Network Management System, apo PNMS, është softuer i cili lejon menaxhimin e rrjetit komunikues mikrovalë të ndërtuar nga sistemi PASOLINK. Versioni i ekspozuar në CeBIT ishte për Windows. PNMS lejon menaxhim hierarkik, pamje të hartave të rrjetit, përcjelljen e ngjarjeve (Ang: logging), si dhe alarmimin mbi ngjarje të ndryshme.

NTT DoCoMo dhe gjenerata 3 dhe 4 e telefonisë mobile

Një nga ekspozitat më impresionuese ishte ajo e NTT DoCoMo, ku përveç telefonave që do të përmenden më vonë, kompania më e madhe e telekomunikimit Japoneze, demonstroi përdorimin e W-CDMA dhe 3G FOMA. 3G FOMA është lansuar në Tetor të 2001 dhe është e bazuar në IMT-2000 W-CDMA. FOMA ka aftësi të përkrahë transmetime të shpejta, si dhe sasi të mëdha të shënimeve. Kjo teknologji gjithashtu lejon përdorimin e shërbimeve të reja si video-telefonia, dhe video-posta. NTT DoCoMo mbulon 100% të Japonisë me FOMA. Një nga aftësitë e FOMA është i-mode, që lejon transmetimin e paketave në masë 384 Kbps.

Pamje nga ekspozita e NTT DoCoMo në CeBIT. Foto nga G.K.

Përveç këtyre NTT DoCoMo gjithashtu prezantoi i-mode FeliCa, apo kuletën mobile. Ky shërbim i mundëson përdoruesit të bënë pagesat thjeshtë duke e vendosur telefonin mbi pika të caktuara. FeliCa është fryt i bashkëpunimit mes NTT DoCoMo dhe teknologjisë IC të Sony. Bashkimi i IC me i-mode mundëson lidhje kudo që të gjendet përdoruesi. FeliCa do të zëvendësojë kuletat, kartelat e kreditit, të hollat, si dhe çelësat për automjet dhe shtëpi.

Demonstrimi i FOMA nga NTT DoCoMo - personi në foto është duke komunikuar me personin në ekran përmes video-telefonit. Foto nga J.L.

Në CeBIT NTT DoCoMo gjithashtu prezantoi iniciativat e tyre për zhvillimin dhe hulumtimin e gjeneratës së katërt të telefonisë mobile.

Ngritja e Linux-it dhe Ndikimi në CeBIT

Linux-i këtë vit është prezantuar përmes Linux Forum, që filloi në CeBIT 2004. Megjithëse ekspozita ishte e vogël, në krahasim me gjërat tjera në CeBIT, ndikimi i Linux-it në bizneset ishte i dukshëm. Sun, IBM, Novell, të gjitha ishin aty dhe të gjitha ofronin diçka në lidhje me Linux. Shumë kompani më të vogla ofronin prodhime të bazuara në Linux.

NTT DoCoMo është njëra nga ato kompani e cila ka përqafuar Linux-in. Një nga telefonat është P901i, i cili punon me Linux dhe ka aftësi të shumta, përveç FeliCa. Telefoni tjetër në ekspozitë ishte N901iC, i cili gjithashtu punon me Linux. Në pyetjen se cili është më i popullarizuar në Japoni, Zoti Hirouki Sudo u përgjigj “Linuxi-i”.

Zoti Hirouki Sudo nga NTT DoCoMo tregon telefonin e tij personal me Linux. Foto nga G.K.

P901i telefoni me Linux nga NTT DoCoMo. Foto nga G.K.

N901iC telefoni me Linux nga NTT DoCoMo. Foto nga G.K.

Disa nga projektet e hapura si Debian, OpenOffice, Ubuntu, ishin gjithashtu të pranishme në Linux Forum.

Projekti Debian ishte gjithashtu në CeBIT. Foto nga J.L.

OpenOffice kishte në ekzpozitë verzionin 2.0 Beta të OpenOffice. Foto nga J.L.

Open Booth për projektet e Linux ishin përplot me vizitor edhe pse vet Linux Forumi nuk ishte aq i madh. Foto nga J.L.

Tux-i në ekspozitën e IBM e cila gjindej përpara Microsoft-it. Foto nga J.L.

Dashuria e re mes shumë korporatave me Linux është tregu si e fortë në këtë CeBIT. Foto nga J.L.

Pamje nga prezentimet në Linux Forum

Shembull i depërtimit të Linux-it në këtë industri mund të jetë PXA-1 nga kompania Finlandeze FirstTechnology. PXA-1 është platformë e “ngulisur” (Ang: embedded) e cila punon nën Linux. PXA-1 punon me CPU-në Intel PXA255, dhe ka mundësi të lidhet me USB pajisje dhe porte seriale.

Këtë vit Novell ishte i pranishëm me Novel Linux Desktop 9, Open Enterprise Server 9, si dhe shumë zgjidhje tjera me Linux të parapara për ndërmarrjet. Qëllimi i Novell është që ta mundësojë migrimin nga Windows në Linux, duke plotësuar nevojat e kompanive të cilat përdorin Office dhe Exchange.

Ekspozita e Novell nuk koncentrohej vetëm në Linux por korporata është duke lëvizur në atë drejtim. Foto nga J.L.

Novell ofron gjithashtu Evolution, që mund të përdoret në vend të Outlook, por integrimi është i kufizuar në disa operacione themelore. Në pyetjen se a ka plane që këto operacione tjera të integrohen në Evolution, përfaqësuesi i Novell në CeBIT pohoi që plane të tilla nuk ekzistojnë.

Novell pohon që Novell Linux Desktop është i dizajnuar për ndërmarrje dhe që është distribucioni më i mirë për biznese të tilla. Prezantimi i aftësive të NLD është bërë nga Zoti Thomas Handel, i cili ka përvojë të gjatë me Netware zgjidhjet dhe tani është duke iu adaptuar drejtimit të ri që Novell e ka marr me Linux. Handel ceki që përparësia e NLD është lehtësia e instalimit të softuerit, optimizimi i këtij mjedisi për përdorimin e OpenOffice, dhe lehtësia e instalimit të vet sistemit. Handel gjithashtu ceki që Novell ka plane të integron Netware në NLD mbasi që e ardhmja e vet Netware sot nuk duket shumë optimiste.

Novell gjithashtu ofronte CD-të dhe DVD-të me versionet testuese të Novel Linux Desktop 9, Novell Open Enterprise Server, SuSE Linux Enterprise Server 9, ZENworks Linux Management.

Një nga përparësitë më të mëdha të Open Enterprise Server ishte mundësia e lidhjes me shërbimet rrjetore si LDAP, dhe autentifikimi/kontrollimi i qasjeve në resurset e ndryshme për sistemet Linux por edhe Windows.

Blue Gene dhe Projekti Millipede nga IBM

Ekspozita e IBM ishte e koncentruar në shërbime, superkompjuterë, dhe nanoteknologji. Por International Business Machines përdori CeBIT si rast për ta treguar superkompjuterin më të shpejtë në botë, Blue Gene.

Versioni komercial i Blue Gene ka fuqi punuese 5.7 Teraflopa, dhe është i bazuar në arkitekturën Power të IBM. Blue Gene është i ndërtuar nga celulat të përbëra nga çipi dhe shënimet, gjë që i mundëson superkompjuterit ta ndajë punën. Ēdo celulë përmban dy procesora, një për llogaritje, ndërsa tjetri për komunikim. Celulat gjithashtu posedojnë memorien e tyre.

Pamje e Blue Gene nga larg. Foto nga J.L.

Pllakat mbartëse të qelizave të Blue Gene. Foto nga J.L.

Blue Gene është superkompjuteri më i shpejtë deri më sot. Foto nga J.L.

Pllaka e silikonit që përmban procesorin e Blue Gene si dhe një nga qelizat e përbërë nga dy çipa të Power arkitekturës. Foto nga J.L.

Pllaka mbartëse që ka 20 qeliza. Foto nga J.L.

Në CeBIT IBM gjithashtu ekspozoi projektin Millipede, një sistem për ruajtje të densitetit të lartë i bazuar në komponente mikromekanike (MEMS). Shënimet ruhen përmes gjilpërës AFM (Atomic Force Microscopy) e cila gjithashtu përdoret për leximin e shënimeve. Kapaciteti i ruajtjës është 1 TB për një inq katror.

Ēipi i sistemit Millipede. Foto nga J.L.

Pamja nga mikroskopi e sistemit Millipede - sistem mikromekanik i cili mund të ketë kapacitet 1 TB për inqkatror. Foto nga J.L.

Sistemet Mbrojtëse nga EADS System House

Kompania për sisteme mbrojtëse dhe të komunikimit EADS System House, gjithashtu ishte e pranishme në CeBIT. EADS ishte në CeBIT për të ofruar shërbimet e tyre në ndërtimin e rrjetave vëzhguese, komanduese dhe komunikuese, si dhe zbatuese (pra armatim). Përvoja e EADS është duke u zbatuar në shumë forca të NATOs. Megjithëse kjo industri nuk ishte e pranishme aq shumë në CeBIT, sistemet e integruara të EADS ishin mjaft impresionuese. Ekspozita e EADS ishte e koncentruar në nevojën për superioritet informativ, jo vetëm në beteja por edhe në sigurimin shtetëror. Kompania ofron sistemet ISR (Intelligence, Surveillance, dhe Reconnaissance) të përbëra nga sistemet sipërfaqësore, fluturaket me njerëz, fluturaket autonome pa njerëz, si dhe një familje të satelitëve vëzhgues.

Sisteme tjera të furnizuara nga EADS janë C3I (Command, Control, Communication dhe Information) të cilat janë të rëndësishme për menaxhimin e betejave moderne.

Outsourcing është ende në rrjedha

Një nga sallat e CeBIT kishte të bëjë me fenomenin outsourcing. Megjithëse shumica nga kompanitë aty ishin nga Azia, disa ishin edhe nga Europa Jug-Lindore. Ndër shtetet e pranishme ishin, Bullgaria, Rumunia por edhe Serbia. Prezenca e Serbisë ishte e mundur përmes Asociacionit të Teknologjisë Informative e cila ishte në CeBIT për t'i mundësuar 10 kompanive për t'a përhapur tregun e tyre në botë. Kompanitë Serbe të cilat ofronin shërbimet bënin veprimtari në fushat e inxhinierisë softuerike, teknologjisë komunikuese me tela, shtesave për pajisje periferike, si dhe shërbimet për qendra thirrëse telefonike. Por, përqendrimi i kompanive ishte në sektorin e telekomunikimit.

E tërë kjo e bëri që të vendoset në pytje pozita e Kosovës por edhe të ngritet dëshira që edhe shteti i jonë, së bashku me Shqipëri, të jenë të pranishme në një panair sikur CeBIT. Megjithëse është vështirë të vlerësohet suksesi i një asociacioni të tillë, megjithatë prania e tyre në CeBIT duhet të konsiderohet si sfidë të cilën jemi të gatshëm ta sfidojmë.

Foto nga CeBIT 2005

Këtu janë përmbledhur disa nga prodhimet të cilat ishin interesante si për shembull këpuca adidas_1, që është duke u reklamuar si këpuca e parë inteligjente. Adidas_1 ka të integruar një çip i cili kryen 5 milion llogaritje për sekondë. Roli i këtij çipi është të kontrollon rezistencën e nevojitur në shputën e këmbës në çfarëdo tereni. Faktikisht, çipi e adapton pjesën e poshtme të këpucës ashtu që përdoruesi të ndihet më mirë.

Një telefon i cili u dallua nga tjerët është SPH-G1000 nga Samsung. Ky telefon është i parashikuar për lojëra kompjuterike dhe në CeBIT vizitorët mund të luanin lojën Resident Evil.

SPH-G1000 nga Samsung me lojën Resident Evil - adhuruesit e kësaj loje mund të din se çka qëndron në këtë koridor. Foto nga J.L.

Samsung gjithashtu ekspozoi shtypësin CPL-510/510N, shtypës laserik me ngjyra. Rezolucioni maksimal i këtij shtypësi është 1,200 x 1,200 dpi, por përparësia më e madhe e këtij prodhimi është sistemi NO NOIS (Non-Orbiting Noiseless Optical Imaging System) që gati eliminon zhurmën dhe vibrimet e shtypësit.

Shtypësi laserik CPL-510/510N nga Samsung me teknologjinë NO NOIS e cila zvogëlon zhurmën dhe vibrimet. Foto nga G.K.

Ekrani 3D nga kompania Gjermane SeeReal Technologies GmbH, është ekran i cili ka aftësi të paraqet pamjet në hapësirë tre dimensionale. Duke e vendosur pikën e vëzhgimit në vend të caktuar përdoruesi përnjëherë përjeton se si objektet dalin nga sipërfaqja e ekranit dhe ngrihen lartë. Efekti është vërtetë fenomenal ndërsa aplikimi i kësaj teknologjie mund të gjendet në shumë fusha si biologjia, medicina, dizajni kompjuterik, dhe sidomos lojërat.

Pamje nga Messe të Hannover-it ku është mbajtur CeBIT 2005. Foto nga J.L.

Pamje nga Messe të Hannover-it ku është mbajtur CeBIT 2005. Foto nga J.L.

Pamje nga Messe të Hannover-it ku është mbajtur CeBIT 2005. Foto nga J.L.

BMW Mini me mediat e integruara në ekspozitën e Microsoft. Shumë kompani zgjodhën Mini si objekt testues. Foto nga G.K.

Përdorimi i Linux-it në fushën e inxhinierisë automotive nga GNS Systems GmbH. Foto nga J.L.

PBX-i i hapur, open-source, Asterisk në CeBIT 2005. Foto nga J.L.

Audi futuristik nga filmi I, Robot. Foto nga G.K.

ATI përdori CeBIT për ta festuar ditëlindjen e 20-të si dhe promovuar FireGL dhe Radeon X850, 9200. Foto nga J.L.

Nvidia është koncentruar në SLI, gjë e reklamuar në çdo kënd. Foto nga J.L.

Gati të gjitha kompanitë përdornin lojërat për të treguar aftësitë e harduerit të tyre. Nvidia ofronte eksperiencën me SLI. Foto nga G.K.

PDP TV nga LG. Ekrani më i madh PDP në botë, 71 inq. Foto nga G.K.

Moduli GPS për Nokia telefonat. Foto nga G.K.

Vendi për Bluetooth ishte në automjete, të gjitha prodhimet që kishin të bëjnë me komunikime të pajisjeve periferike pa tela përdornin këtë teknologji. Foto nga J.L.

Kompanitë e telekomit ofronin thirrje falas. Foto nga J.L.

Thirrjet falas në çdo kënd. Foto nga J.L.

BMW ConnectedDrive që ofron shërbimin BMWAssist për nevoja urgjente, BMWOnline për lidhje me internet, dhe BMWTracking për të përcjellur automjetin në rast të vjedhjes. Foto nga J.L.

Ekrani me avull. Foto nga J.L.

Konkludimi mbi CeBIT 2005

Teknologjitë e ekspozuara ishin fenomenale dhe përparimtare, ndërsa vet panairi ishte i organizuar në mënyrë efikase, që reflekton kulturën e vet Gjermanisë. Udhëtimi nëpër këtë shtet është çdo herë i bukur sepse çdo gjë gjendet në vend të vet ndërsa arritja deri në informata është lehtësuar shumë.

Një trend tjetër ishte edhe përqendrimi i kompanive Kineze në prodhime për konsumatorë, ndërsa i atyre Amerikane, Gjermane, Zvicerane, Skandinave, Finlandeze, Japoneze dhe Koreane në zhvillim dhe hulumtim të gjërave të reja.

Gjermania dhe në përgjithësi Europa Perendimore e rregulluar edhe në vendet më të largëta. Foto nga J.L.

CeBIT 2005 ishte rast i mirë për të parë edhe mundësitë e një shteti si Kosova. Edhe pse industria e shërbimeve informatike është ende në fazat fillestare në Kosovë, duhet vazhduar të punojmë në këtë drejtim ashtu që shtetet Shqiptare të bëhen konkurrente serioze, së paku në rajonin e Europës Lindore. Kjo gjë është e mundur për një kohë shumë të shkurtër. Kjo ngase shumica e kompanive të rajonit tonë ofronin shërbime në inxhinieri softuerike, gjë që nuk kërkon shumë resurse por njerëz.

Pr-Tech shpreson që CeBIT 2006 do ta mbulojmë edhe më shumë. Ideale do të ishte vizita disa ditëshe e një ekipi të madh të Pr-Tech për ta analizuar çdo aspekt të këtij panairi por edhe të hulumtuar mënyrat se si shtetet tona mund të përfitojnë nga ngjarja në Hannover.

Më shumë informata
CeBIT 2006
CeBIT në Hannover
Windows XP Media Center 2005
Silentmaxx
Arctic Cooling
Dolch
Penta
Sony Vaio
Lampertz
Kidde Deugra
Novec 1230
Rittal

Mbi Fotot nga CeBIT
J.L. - Julia Leijola / G.K. - Genc Kastrati

Creative Commons License
Ky material ėshtė i lėshuar nėn licensėn
Creative Commons (Attribution-ShareAlike) qė do tė thotė qė materiali mund tė kopjohet, shpėrndahet, ekspozohet, pėrdoret pėr punime rrjedhėse dhe nevoja komerciale pėrderisa: Ceket autori; Nė rast ndryshimi, lėshohet nėn po tė njejtat kushte. Autori/ja i/e kėtij materiali pajtohet automatikisht qė materiali tė lėshohet nėn kėtė licensė. Kushtet mund tė largohen vetėm me lejėn e autorit/es.
Mbi Pr-Tech | Kontaktet Copyright Pr-Tech® 2004 - 2010 Thanks to all that inspired, taught and helped push us forward...