Pr-Tech
 

Google Pr-Tech
Punime Artikuj tė Shkurtėr Mėsime Praktike

 

Kategoritė e Artikujve

Programim / KoncepteHarduer / StandardeSigurim / KriptologjiSisteme OperativeRrjeta / TelekomunikimHapėsirė / ShkencėAplikacione SistemorePolitikė / Kulturė / BiznesMbulime EkskluziveLibra Digjital

Ribėrja e njerėzimit (E ardhmja e inteligjencės njerėzore-mekanike)
Hapėsirė / Shkencė - 04/06/2006 - Shkruar nga: Arlind BOSHNJAKU - arlindb ET gmail PIKĖ com
Pėr shtypės

Koment:, Ray Kurzweil parasheh evolucion rrënjësor të llojit njerëzor në 40 vjetët e ardhshëm. Shkrirja e njeriut me makinën, së bashku me shpërthimin e për­njëhershëm në inteligjencën mekanike dhe të inovacioneve në hulumtimet gjenetike dhe nanoteknologjike, do të sjellin një botë ku humb fare dallimi ndërmjet biologjikës dhe mekanikës, ose ndërmjet realiteteve fizike dhe virtuale.

Përkthyer nga Arlind Boshnjaku - Vepra origjinale Reinventing Humanity - The Future of Human-Machine Intelligence nga Ray Kurzweil

Ray Kurzweil parasheh evolucion rrënjësor të llojit njerëzor në 40 vjetët e ardhshëm. Shkrirja e njeriut me makinën, së bashku me shpërthimin e për­njëhershëm në inteligjencën mekanike dhe të inovacioneve në hulumtimet gjenetike dhe nanoteknologjike, do të sjellin një botë ku humb fare dallimi ndërmjet biologjikës dhe mekanikës, ose ndërmjet realiteteve fizike dhe virtuale.

Gjendemi në prag të ngjarjes më transformuese dhe me ndikim më të thellë në histori të njerëzimit, në prag të “Singularitetit.”

Ē'është Singulariteti? Nga këndvështrimi im, Singulariteti është një periudhë në të ardhmen kur ritmi i ndryshimeve teknologjike do të jetë aq i shpejtë dhe me ndikim aq të gjërë saqë ekzistenca njerëzore në këtë planet do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme. Do ta kombinojmë fuqinë e trurit tonë – dijen, aftësitë, dhe veçoritë e personalitetit tonë që na bëjnë njerëzor – me fuqinë e kompjuterëve për të menduar, për të arsyetuar, për të komunikuar dhe për të krijuar në mënyra që tani s'mundemi fare t'i përfytyrojmë.

Ky bashkim i njeriut me makinën, si dhe shpërthimi i përnjëhershëm në inteligjencën e makinave dhe i zbulimeve në fushat e hulumtimit gjenetik dhe në nanoteknologji, do të sjellë një botë ku nuk ekziston asnjë dallim ndërmjet biologjikes dhe mekanikes, ose ndërmjet realiteteve fizike dhe virtuale. Këto revolucione teknologjike do të na e bëjnë të mundshme t'i kapërcejmë limitet e trupit tonë të brishtë. Sëmundjet, ato që i njohim sot, do të çrrënjosen. Duke përdorur nanoteknologjinë do të jemi në gjendje të prodhojmë pothuajse çdo gjë fizike sipas dëshirës; urisë dhe varfërisë në botë do t'u vijë fundi, edhe ndotja do të zhduket. Ekzistenca njerëzore do të pësojë kërcim të madh përpara në evolucionin e saj. Do të jemi në gjendje të jetojmë aq sa duam. Lindja e një bote të tillë është, në thelb, Singulariteti.

Si është e mundshme të jemi aq afër këtij ndryshimi të jashtëzakonshëm dhe të mos e shohim? Arsyeja është karakteri përshpejtues i ndryshimeve novatore teknologjike. Kur mendojnë për të ardhmen, pak njerëz e marrin parasysh faktin që progresi shkencor njerëzor është eksponencial: Ai zhvillohet duke u shumëzuar në mënyrë të përsëritur me një konstantë (10 herë 10 herë 10 dhe kështu më radhë) dhe jo në mënyrë lineare d.m.th. duke e shtuar vazhdimisht një konstantë (10 plus 10 plus 10, dhe kështu me radhë). E theksoj perspektivën eksponenciale-përballë lineares sepse parashikuesit e trendeve të ardhshme gabohen rëndë te kjo pikë e rëndësishme.

Stërgjyshërit tanë kanë jetuar në pritje se në të ardhmen e tyre gjërat do të jenë të ngjashme me përjetimet e tyre të kaluara, me disa përjashtime. Duke jetuar në një kohë kur ritmi i zbulimeve teknologjike ishte aq i ngadaltë saqë të mos vihej re, shpresat e tyre për një të ardhme ndryshe mbeteshin vazhdimisht të paplotësuara. Sot ne jemi dëshmitarë të përshpejtimit të lakores [të zhvillimit]. Së këndejmi, ne parashohim përparim të vazhdueshëm teknologjik dhe pasojat e tyre shoqërore. Ne e shohim të ardhmen të ndryshme nga e sotmja. Por e ardhmja do të jetë tepër më befasuese se që do ta mendonin shumica e njerëzve, sepse janë të paktë ata vëzhgues që vërtet i kanë absorbuar rrjedhojat e faktit që edhe vetë shpejtësia e ndryshimeve po përshpejton.

Rritja eksponenciale fillon ngadalë dhe gati pa u vënë re, por kur e kalon gjurin e lakores bëhet shpërthyese dhe thellësisht transformuese. Modelet e mia tregojnë se jemi duke dyfishuar shpejtësinë e ndërrimeve paradigmatike për novacione teknologjike për çdo dhjetëvjeçar. Me fjalë të tjera, shekulli i njëzetë gradualisht ka shpejtuar deri në ritmin e tanishëm të progresit; prandaj arritjet e tij ishin baraz me 20 vjet progresi me shpejtësi të 2000-ës. Do t'i bëjmë edhe “20 vjet” të tjera përparim për vetëm 14 vjet (deri më 2014), dhe pastaj do ta bëjmë të njëjtën gjë për vetëm shtatë vjet. Nëse do ta shprehnim këtë ndryshe, në shekullin e njëzetenjëtë s'do të përjetojmë 100 vjet përparim teknologjik; por do të shohim një përparim prej 20,000 vjetësh (të matur sipas shpejtësisë së sotme të përparimit), ose përparim 1000 herë më të madh se në shekullin XX.

Si do ta dimë që Singulariteti është afër?

Gjysmën e parë të shekullit të njëzetenjëtë do ta karakterizojnë tre revolucione të ndër­thurura – në gjenetikë, nanoteknologji, dhe robotikë. Këto do të shpallin fillimin e kësaj epoke të ndryshimeve të jashtëzakonshme që unë e quaj Singularitet. Tani jemi në fazat e hershme të revolucionit gjenetik. Duke i kuptuar proceset informacionale që janë në themel të jetës, ne po mësojmë të riprogramojmë biologjinë tonë për të realizuar eliminimin e sëmundjeve, zgjerimin dramatik të potencialit njerëzor, dhe zgjatjen rrënjësore të jetës. Megjithatë, Hans Moravec nga Instituti i Robotikës pranë Universitetit Carnegie Mellon vë në dukje faktin se sado të suksesshëm të tregohemi në përmirësimin e biologjisë sonë të bazuar në ADN, biologjia kurrë nuk do të mundet të barazojë atë që do të arrijmë të konstruktojmë nëpërmjet inxhinierisë atëherë kur t'i kemi kuptuar në tërësi parimet e funksionimit të jetës. Me të tjera fjalë, gjithmonë do të mbesim "robotë të klasës së dytë."

Revolucioni nanoteknologjik do të na japë fuqi të rimodelojmë dhe të rindërtojmë – molekulë pas molekule – trupat dhe trurin tanë dhe botën me të cilën ndërveprojmë, duke tejkaluar kufizimet e biologjisë.

Por revolucioni më i fuqishëm në të ardhmen e afërme është revolucioni robotik. Termi 'robotik' nuk u referohet vetëm robotëve me pamje humanoide që zënë një hapësirë fizike, por më shumë inteligjencës artificiale me të gjitha variacionet e saj.

Në vijim i kam zbuluar komponentët kryesorë që janë në themel të secilit prej këtyre revolucioneve të ardhshme teknologjike. Secila valë e re e përparimit do t'i zgjidhë problemet nga transformimet e mëparshme, por, njëkohësisht, secila do të sjellë me vete rreziqe të reja, por, duke vepruar ndarazi edhe së bashku, ato janë në themel të Singu­laritetit.

Revolucioni gjenetik

Shkencat gjenetike dhe molekulare do ta zgjerojnë fushën e biologjisë dhe do t'i rregullojnë të metat e saj të qarta (si prekshmëria jonë nga sëmundjet). Deri në vitin 2020 efektet e plota të revolucionit gjenetik do të ndihen në tërë shoqërinë. Me shpejtësi të madhe jemi duke i fituar njohuritë dhe instrumentet për të zgjatur vrullshëm përdorshmërinë e "shtëpisë" sonë: trupit dhe trurit tonë.

Kërkuesi në lëmin e nanomjekësisë Robert Freitas vlerëson se me eliminimin e 50% të problemeve të parandalueshme mjekësore jeta njerëzore do të zgjatej për 150 vjet. Nëse do të arrinim t’i parandalonim 90% të problemeve mjekësore të natyrshme, do të jetonim më shumë se 1000 vjet.

Fillimet e këtij revolucioni të hatashëm mund t'i shohim sot. Fusha e bioteknologjisë gjenetike po pasurohet me gjithnjë e më shumë instrumente. Në të kaluarën zbulimi i barnave ishte çështje e gjetjes së substrateve (kimikateve) që prodhojnë rezultate të dobishme pa efekte të tepruara anësore, metodë kërkimi kjo e ngjashme me orvatjet e njerëzve të hershëm për të gjetur gurë dhe vegla të tjera natyrore që do të përdoreshin për qëllime të dobishme. Sot po zbulojmë rrugët e sakta biokimike që janë në bazë të sëmundjeve dhe procesit të plakjes. Tani kemi aftësi të bëjmë barna që do të kryenin misione të sakta në nivel molekular. Me teknologjitë gjenetike të zbuluara jemi buzë aftësisë për të drejtuar mënyrën si gjenet e “shprehin veten.” “Shprehja e gjeneve” (apo manifestimi i tyre) është procesi nëpërmjet të cilit komponentët qelizorë (ARN-ja dhe ribozomet) prodhojnë proteina sipas një plani të saktë gjenetik. Edhe pse çdo qelizë njerëzore përmban modelin e plotë gjenetik, d.m.th. kopjen e plotë të gjeneve të trupit, një qelizë e veçantë, si ajo e lëkurës ose e ishujve të pankreasit, i fiton karakteristikat e veta vetëm nga një pjesëz e informacionit gjenetik që është përgjegjëse për atë tip të posaçëm qelizash.

Shprehja e gjeneve është e drejtuar nga peptidet (molekula që përmbajnë deri në 100 aminoacide) dhe fijet e shkurtra të ARN-së. Tani kemi filluar të mësojmë si funksionojnë këto procese. Shumë terapi të reja që janë në zhvillim e sipër dhe në fazën e provave bazohen në manipulimin e peptideve për të bllokuar shprehjen e gjeneve që shkaktojnë sëmundje ose për të aktivizuar gjene të dëshirueshme që përndryshe janë të pashprehura në një tip qelizash. Një teknikë e re e quajtur interferenca e ARN-së është në gjendje të shkatërrojë ARN-në që e bart porosinë e një gjeni (ARN-mesenxher), duke çaktivizuar atë gjen.

Përparimi i përshpejtuar në bioteknologji do të na japë fuqi të riprogramojmë gjenet tona dhe proceset metabolike, dhe do të shtyjë përpara fushat e gjenomikës (të ndikuarit mbi gjene), të proteomikës (të kuptuarit dhe të ndikuarit në rolin e proteinave), të terapisë së gjeneve (ndrydhja e shprehjes së gjeneve, si dhe shtimi i informacionit të ri gjenetik), të prodhimit racional të barnave (shpikja e barnave që për objektiv kanë ndryshimet e caktuara në proceset e sëmundjes ose plakjes), si dhe klonimin terapeutik të qelizave, indeve dhe organeve të ripërtërira.

Revolucioni nanoteknologjik

Nanoteknologjia premton të na japë mjete për të rindërtuar botën fizike – përfshirë trupin dhe trurin – molekulë pas molekule dhe ndoshta atom pas atomi. Tani jemi duke i tkurrur veçoritë kryesore (pjesët aktive të makinave), në përputhje me ligjin e kthimeve përshpejtuese, me shpejtësi eksponenciale (mbi katër për një dimension linear për një dekadë ose rreth 100 për një vëllim 3-D.) Me këtë ritëm madhësitë e elementeve kryesore për shumicën e teknologjive elektronike dhe për shumë teknologji mekanike do të jenë në zonën e nanoteknologjisë – nën 100 nanometra (një e miliardta pjesë e metrit) – deri në vitet 2020. Elektronika tashmë ka rënë nën këtë prag, edhe pse ende jo në strukturat tredimensionale dhe ende jo në strukturat me aftësi për të ndërtuar struktura të tjera të ngjashme – hap i domosdoshëm para se nanoteknologjia të arrijë potencialin e saj të premtuar. Ndërkohë, përparim i vrullshëm është bërë rishtazi në përgatitjen e kornizës konceptuale dhe të ideve projektuese për epokën e ardhshme të nanoteknologjisë.

Nanoteknologjia është zgjeruar për të përfshirë çdo teknologji ku elementet kryesore të një makine maten me më pak se 100 nanometra. Njësoj si elektronika moderne, e cila tashmë në mënyrë të heshtur ka kaluar në zonën nano, edhe fusha e zbatimeve biologjike dhe mjekësore tanimë ka hyrë në epokën e nanogrimcave, në të cilën po zhvillohen objekte me masa nano për të krijuar teste dhe shërime më efikase.

Në lëmin e testimeve dhe diagnozës nanogrimcat po përdoren në testet biologjike eksperimentale si etiketa për të rritur ndjeshmërinë në zbulimin e substancave si proteinat. Nanoetiketat magnetike mund të përdoren për t'u lidhur me kundërtrupat që pastaj mund të lexohen me anën e sondave magnetike që do të vendoseshin brenda trupit. Eksperimente të suksesshme janë bërë edhe me nanogrimca të arit që janë të lidhura me segmente ADN-je dhe që mund të bëjnë analiza të shpejta të sekuencave të caktuara të ADN-së në një mostër. Toptha të vegjël nanometrik të quajtur pika kuantike mund të programohen me shifra (apo kode) të posaçme duke kombinuar ngjyra të ndryshme, si një bar-kod me ngjyra, për të bërë të mundshme përcjelljen e substancave në tërë trupin.

Në të ardhmen, pajisjet nanometrike do të bëjnë njëkohësisht qindra teste në mostra të vogla të ndonjë substance. Këto pajisje do të mundësojnë bërjen e testimeve të gjera në mostra gati të padukshme gjaku.

Në fushën e shërimeve, një zbatim mjaft interesant i kësaj teknologjie është shfrytëzimi i nanogrimcave për të dërguar barin në vende të posaçme në trup. Nanogrimcat mund t'i drejtojnë barnat brenda mureve qelizore dhe nëpërmes barierës gjak-tru. Paketat nanometrike do të mund të ndërtoheshin për të përmbajtur barna, për t'i mbrojtur ato në traktin gastrointenstinal, për t'i bartur në lokacione të caktuara, dhe pastaj për t'i liruar në mënyra të sofistikuara që do të mund të kontrolloheshin ose të drejtoheshin, në distancë (pa tela), jashtë trupit.

Nanoterapeutika në Alachua, Floridë e ka zhvilluar një polimer të biodegradueshëm vetëm disa nanometra të trashë që e shfrytëzon këtë metodë. Ndërkohë, shkencëtarët në Universitetin McGill në Montreal kanë demonstruar një nanopilulë (tabletë barnash) me struktura prej 25 deri 45 nanometrash. Nanopilula është mjaft e vogël sa për të kaluar përmes murit qelizor dhe të dërgojë barin drejt te strukturat e synuara brenda qelizës.

MicroCHIPS në Bedford, Massachusetts, ka zhvilluar një pajisje të kompjuterizuar që ngulitet nën lëkurë dhe dorëzon përzierje të përpikta të barnave nga qindra puse nanometrike brenda pajisjes. Versionet e ardhshme të kësaj pajisjeje mendohet se do të jenë në gjendje të matin nivelet në gjak të substancave të ndryshme, për shembull, të glukozës. Sistemi do të mund të përdorej si pankreas artificial, duke liruar sasi të sakta insuline bazuar në përgjigjen e glukozës në gjak. Këto sisteme do të ishin në gjendje të simulojnë çdo organ që prodhon hormone, dhe nëse provat tregohen të suksesshme, sistemi ka gjasa të komercializohet deri më 2008. Një tjetër propozim inovativ është të drejtohen nanogrimcat (me gjasë të përbëra nga ari) te vendi i tumorit dhe pastaj të nxehen me rreze infra të kuqe për t'i shkatërruar qelizat kanceroze.

Revolucioni në nanoteknologji do të na japë fuqi të bëjmë shumë më tepër se vetëm të shërojmë sëmundje. Përfundimisht, nanoteknologjia do të na mundësojë të rimodelojmë dhe të rindërtojmë jo vetëm trupin dhe trurin tonë, por edhe botën me të cilën ndërveprojmë. Megjithatë, realizimi i plotë i nanoteknologjisë do të mbesë prapa revolucionit bioteknologjik për rreth një dekadë. Por nga mesi deri nga fundi i viteve 2020 efektet e revolucionit nanoteknologjik do të jenë të qarta dhe të shtrira kudo.

Nanoteknolgjia dhe truri i njeriut

Zbatimi më i rëndësishëm dhe më rrënjësor i nanobotëve, që do të paraqiten diku rreth vitit 2030, do të jetë rritja e fuqisë së mendjeve tona nëpërmjet bashkimit të inteligjencës biologjike me jobiologjiken, ose të "makinave". Në 25 vitet e ardhshme do të mësojmë si t'i përforcojmë 100 bilionë lidhjet e ngadalta ndërneuronale me lidhje virtuale të shpejtësisë së lartë nëpërmjet nanorobotikës. Kjo do të na lejojë të përforcojmë tej mase aftësitë tona për identifikimin e formave dhe rregullsive, kujtesën tonë, dhe fuqinë e përgjithshme të të menduarit, si dhe të komunikojmë drejtpërdrejt me forma të fuqishme të inteligjencës kompjuterike. Kjo teknologji do ta mundësojë komunikimin pa tela ndërmjet dy trurëve. Me fjalë të tjera, epoka e komunikimit telepatik ka gjasa të bëhet realitet shumë shpejt.

Sot truri ynë ka një konstruksion relativisht të fiksuar. Edhe pse ne vazhdimisht shtojmë numrin e rrugëve ndërneuronale dhe përqendrimet e neurotransmetuesve si pjesë normale e procesit të të mësuarit, fuqia e tanishme e përgjithshme e trurit njerëzor është shumë e kufizuar. Rreth fundit të viteve 2030, kur do të arrijmë të rritim inteligjencën tonë me ndihmën e inteligjencës artificiale, do të jemi të aftë të shkojmë përtej arkitekturës bazike të zonave neurale të trurit.

Implantet (shtesat) trurore të bazuara në shpërndarjen e gjërë të nanobotëve inteligjentë do të na e zhvillojnë tej mase kujtesën tonë dhe, në anën tjetër, do t'i përmirësojnë shumë të gjitha aftësitë tona shqisore, kognitive (njohëse) dhe ato për identifikimin e trajtave dhe rregullsive. Pasi robotët do të komunikojnë me njëri-tjetrin, ata do të jenë në gjendje të krijojnë çfarëdo grupe lidhjesh të reja nervore, të prishin lidhjet ekzistuese (duke bllokuar ndezjen neurale), dhe të shtojnë rrjete plotësisht mekanike, si dhe të komunikojnë ngushtësisht me programe të reja kompjuterike dhe inteligjenca të reja artificiale.

Zbatimi i inteligjencës artificiale në sistemet tona biologjike do të jetë një hap evolucionar përpara për njerëzimin, por kjo gjithashtu do të thotë se do të bëhemi më shumë "makinë" se "njeri". Miliarda nanorobotë do të lëvizin nëpër sistemin e qarkullimit të gjakut në trupin dhe trurin tonë. Brenda trupit tonë ata do të shkatërrojnë patogjenët, do të ndreçin gabimet në ADN, do të eliminojnë toksinet (helmet) dhe do të kryejnë shumë detyra për rritje të mirëqenjes sonë fizike. Për rrjedhim, do të jemi në gjendje të jetojmë pambarim pa u plakur.

Në trurin tonë nanobotët do të ndërveprojnë me neuronet tona biologjike, duke e bërë të mundshme, nga brendia e sistemit nervor, realitetin virtual me imersim (rrethim apo përjetim) të plotë me përfshirje të të gjitha shqisave, si dhe të korrelateve neurologjike të emocioneve tona. Ēka është më kryesorja, kjo lidhje intime ndërmjet të menduarit tonë biologjik dhe inteligjencës mekanike që po krijojmë do të zhvillojë thellësisht inteligjencën njerëzore.

Lufta do të orientohet drejt armatimit të bazuar në nanobotë, si dhe në kiber-armë. Mësimi në fillim do të bëhet on-line, por kur truri ynë do të jetë plotësisht on-line ne do të jemi në gjendje të shkarkojmë dituri dhe shkathtësi të reja. Roli i punës do të jetë për të krijuar dije të çdo forme, prej muzikës dhe artit e deri te matematika dhe shkenca. Edhe roli i lojës do të jetë krjimi i diturive. Në të ardhmen, nuk do të ketë një dallim të qartë ndërmjet punës dhe lojës.

Revolucioni robotik

Prej tre revolucioneve teknologjike (gjenetik, nanomekanik, dhe robotik) që përbëjnë Singularitetin, me ndikim më të thellë është ai robotik ose, si quhet zakonisht, revolucioni i inteligjencës artificiale të fortë. Kjo i referohet krijimit të aftësisë së të menduarit kompjuterik që i kalon aftësitë e të menduarit të njeriut. Tani jemi shumë afër ditës kur njerëzit plotësisht biologjik (si i njohim ne sot) nuk do të jenë më inteligjenca mbizotëruese në planet. Nga fundi i këtij shekulli inteligjenca kompjutacionale ose mekanike do të jetë triliona herë më e fuqishme se inteligjenca e papërforcuar biologjike e njeriut. Mendoj se inteligjenca kompjuterike, ose si unë e quaj inteligjenca jobiologjike, duhet të konsiderohet si njerëzore meqë ajo rrjedh plotësisht nga qytetërimi njerëzoro-mekanik dhe do të bazohet, së paku pjesërisht, në versionin e prodhuar nga njeriu të një truri funksional njerëzor. Bashkimi i këtyre dy botave të inteligjencës nuk është vetëm shkrirje e mediumeve biologjike dhe mekanike të të menduarit, por, çka është më kryesorja, shkrirje e metodave dhe organizimeve të të menduarit që do t'i forcojnë mendjet tona gati në çdo mënyrë të mundshme.

Të menduarit njerëzor biologjik është i kufizuar në 1016 (10 në fuqinë e 16-të) kalkulime në sekondë (cps-calculation per second) për një tru njerëzor (bazuar në modelimin neuromorfik të zonave të trurit) dhe në rreth 1026 cps për të gjithë trurët njerëzor. Këto figura nuk do të pësojnë ndryshim të ndjeshëm edhe me përshtatjet bioinxhinierike të gjenomit tonë. Në anën tjetër, fuqia procesuese e inteligjencës jobiologjike ose e AI-së së fortë (strong artificial intelligence) po rritet me shpejtësi eksponenciale (edhe vetë shpejtësia po rritet) dhe ajo do ta kalojë shumë inteligjencën biologjike nga mesi i viteve '40 të këtij shekulli.

Inteligjenca artificiale do t'ia kalojë domosdo inteligjencës njerëzore për disa arsye.

Së pari, makinat mund t'i ndajnë informatat me njëra-tjetrën dhe të komunikojnë mes tyre me efikasitet shumë më të madhe se njerëzit. Si njerëz ne nuk kemi mjete për të këmbyer modelet e panumërta të lidhjeve ndërmjet neuroneve dhe nivelet e përqendrimit të neurotransmetuesve që përbëjnë të mësuarit, dijet dhe shkathtësitë tona të tjera, përveç nëpërmjet komunikimit të bazuar në të folur.

Së dyti, shkathtësitë intelektuale të njerëzimit janë zhvilluar në përshtatje me shtysat e evolucionit në ambientet natyrore. Ato shkathtësi, që janë para së gjithash të bazuara në aftësitë tona për të njohur dhe për të nxjerrë kuptime nga trajtat dhe rregullsitë që i kapim nëpërmjet shqisave, na mundësojnë të jemi shumë të aftë në disa detyra si p.sh. për të dalluar fytyrat, për të identifikuar objekte dhe për të njohur tinguj të të folurit. Për fat të keq, truri ynë nuk është aq i përshtatshëm kur kemi të bëjmë me rregullsi më të ndërlikuara, si ato që ekzistojnë në të dhënat financiare, shkencore ose të produkteve. Zbatimi i teknikave të bazuara në kompjuterë do të na japë liri të zotërojmë plotësisht modelet e identifikimit të rregullsive (pattern recognition). Dhe në fund, ndërsa dija njerëzore të shpërngulet në internet, makinat do të tregojnë gjithnjë e më shumë mjeshtëri në leximin, të kuptuarit dhe në sintetizimin e informacionit njerëzor-mekanik.

Pula apo veja

Pyetje qendrore lidhur me Singularitetin është se a do të vijë e para "pula" (AI-ja e fortë) apo "veja" (nanoteknologjia). Me fjalë të tjera, a do të çojë AI-ja e fortë te nanoteknologjia e plotë (asemblerë për fabrikim molekular që mund ta shndërrojnë informacionin në produkt fizik), apo nanoteknologjia e plotë do të sjellë AI-në e fortë?

Sipas mendimit të parë AI-ja e fortë do të jetë në pozitë të zgjidhë çdo problem eventual ndërtimor për zbatimin e nanoteknologjisë së plotë. Mendimi i dytë bazohet në supozimin se kërkesat harduerike për AI të fortë do të përmbushen vetëm me kompjutim të bazuar në nanoteknologji. Gjithashtu, kërkesat softuerike për zhvillimin e AI-së së fortë do të ndihmohen nga nanobotët. Këto makina mikroskopike do të na e bëjnë të mundshme të kryejmë skanime tepër të hollësishme dhe të sakta të trurit të njeriut, si dhe të skicojmë diagrame që do të na tregojnë se si arrin truri t'i bëjë të gjitha ato gjëra interesante që na kanë hutuar aq gjatë si p.sh. të krijojë kuptim, të kontekstualizojë informacionin, dhe të përjetojë emocione. Në çastin që do të kemi kuptuar në tërësi si funksionon truri, ne do të mundemi të rikrijojmë dukuritë e të menduarit njerëzor në makina. Kompjuterëve, që do të jenë superiorë në kryerjen e detyrave mekanike, do t'u dhurojmë inteligjencë si të gjallesave.

Përparimi në të dy fushat (nano dhe robotike) do të kërkojë doemos përdorimin e mjeteve tona më të avancuara, kështu që përparimet në një fushë do të ndihmojnë njëkohësisht progresin në fushën tjetër. Megjithëkëtë, unë pres që zbulimet më të rëndësishme nanoteknologjike do të ndodhin para AI-së së fortë, por vetëm për disa vjet (rreth 2025-ës për nanoteknologji dhe 2029 për AI-në e fortë).

Ndonëse nanoteknologjia do të jetë revolucionare, AI-ja e fortë do të ketë pasoja më të thella. Nanoteknologjia është e fuqishme por jo doemos edhe inteligjente. Ne mund të sajojmë mënyra së paku për t'u përpjekur të kontrollojmë fuqinë e jashtëzakonshme të nanoteknologjisë, por superinteligjenca është nga vetë natyra e vet e pakontrollueshme.

Revolucioni nano/robotik gjithashtu do të na bëjë të rikonsiderojmë vetë definicionin e njeriut. Jo vetëm që do ta gjejmë veten të rrethuar me makina që shfaqin tipare njerëzore, por edhe do të jemi më pak njerëzor.

Përkundër potencialit të jashtëzakonshëm të ardhshëm të mjekësisë, jetëgjatësia e vërtetë njerëzore do të arrihet kur t'i flakim plotësisht trupat tanë biologjikë. Duke lëvizur drejt një ekzistence me bazë softuerike do të përftojmë mjete për "të krijuar kopje rezervë" (për të ruajtur në sfond digjital rregullsitë kryesore që janë në bazë të dijeve, shkathtësive dhe personalitetit tonë) duke e bërë të mundshme kështu pavdekësinë virtuale. Falë nano­teknologjisë do të kemi trupa që jo vetëm që do t'i ndryshojmë por që do t'i shndërrojmë në forma të reja si të na dojë qejfi. Gjatë viteve '20 do të jemi në gjendje të shndërrojmë trupat tanë brenda ambienteve të realitetit virtual me imersim të plotë me inkuadrimin e të gjitha shqisave tona, ndërsa mundësinë për ta bërë këtë në realitet real do ta kemi rreth viteve '40.

Rrjedhimet e Singularitetit

Si do të duket natyra e përvojës njerëzore kur të mbizotërojë inteligjenca kompjuterike? Cilat janë pasojat për qytetërimin njerëzoro-mekanik kur AI-ja dhe nanoteknologjia do të jenë në gjendje të krijojnë me të dëshiruar çfarëdo produkti, çfarëdo situate dhe ambienti që mundim të marrim me mend? E theksoj rolin e imagjinatës këtu sepse në krijimet tona do të vazhdojmë të jemi të kufizuar nga imagjinata jonë. Por mjetet tona për vënie në jetë të imagjinatës sonë po bëhen gjithjë e më të fuqishmë në mënyrë eksponenciale.

Zakonisht njerëzit kalojnë nëpër tri faza kur mendojnë për ndikimin e teknologjive të ardhshme: atë të mahnitjes dhe habisë me potencialin e tyre për të mposhtur problemet e vjetra, pastaj përjetojnë një ndjenjë tmerrimi para rreziqeve të reja që i shoqërojnë këto teknologji të reja, dhe në fund e kuptojnë se mënyra e vetme e zbatueshme dhe e ndërgjegjshme është vendosja e një kursi që do t'i realizonte dobitë e saj dhe do t'i zbuste rreziqet.

Personalisht pres që megjithatë të mbizotërojnë zbatimet kreative dhe konstruktive të këtyre teknologjive, ashtu si, besoj, po ndodh edhe sot. Mirëpo duhet t'i rritim shumë investimet tona në zhvillimin e teknologjive të posaçme mbrojtëse. Jemi në një fazë kritike kur duhet t'i zbatojmë në mënyrë direkte teknologjitë mbrojtëse për nanoteknologji gjatë dhjetëvjeçarit të dytë (2013-2019).

Besoj se një moszhvillim i kufizuar i disa mundësive teknologjike duhet të jetë pjesë e reagimit tonë etik ndaj rreziqeve të sfidave teknologjike të shekullit të njëzetenjëtë. Për shembull, Bill Joy dhe unë kemi shkruar para pak kohësh një editorial në New York Times në të cilin kritikojmë botimin e gjenomit të gripit të 1918-ës në internet sepse ai është material i rrezikshëm. Shembull tjetër konstruktiv janë udhëzimet etike të propozuara nga instituti Foresight: nanoteknologët pajtohen të heqin dorë nga zhvillimi i entiteteve fizike që mund të vetëshumohen në ambient natyror pa mbikëqyrje njerëzore ose pa ndonjë mekanizëm kontrollues. Megjithatë, vendimi për të vënë kufizime të tepërta do të minonte përparimin ekonomik dhe është diçka etikisht e paarsyetueshme duke pasur parasysh mundësitë për luftimin e sëmundjeve, varfërisë dhe për pastrimin e ambientit.

S'ka nevojë të shikojmë në të ardhmen për të parë premtimet dhe rreziqet e përparimit teknologjik. Nëse do t'u përshkruanim njerëzve të shekujve të shkuar rreziqet me të cilat ballafaqohemi ne sot (p.sh. bombat atomike dhe hidrogjenike) atyre do t'u dukej marrëzi të bëhen rrezikime të tilla. Por sa njerëz në vitin 2006 vërtet do të dëshironin t'i ktheheshin jetës së shkurtër, të vrazhdë, plot me sëmundje, me varfëri e fatkeqësi që 99% të njerëzve i kanë përjetuar dy shekuj më parë?

E kaluara mund të na duket nganjëherë edhe romantike, por deri tani vonë pjesa dërrmuese e njerëzimit ka bërë jetë tejet të brishtë ku një fatkeqësi fare e rëndomtë mund të kthehej në katastrofë. Para dyqind vjetësh jetëgjatësia për femrat në Suedi ishte përafërsisht 35 vjet, që është shumë pak krahasuar me jetëgjatësinë më të lartë sot – gati 85 vjet për japonezet. Jetëgjatësia për meshkujt ishte 33 vjet, krahasuar me 79 vjet sot. Përgatitja e një darke kërkonte gjysmë dite, mandej çdo aktivitet njerëzor kërkonte punë të rëndë. Nuk kishte as sisteme për përkujdesje sociale. Pjesë të mëdha të njerëzimit ende rrojnë në këtë mënyrë të vështirë, çka është së paku një arsye për të vazhduar përparimin teknologjik dhe përmirësimin ekonomik që e shoqëron atë. Vetëm teknologjia, me aftësinë e saj për të siguruar përparime të shpejta të mundësive dhe produkteve që janë financiarisht të përballueshme mund të ballafaqohet me problemet si varfëria, sëmundjet, ndotja dhe brengat e tjera thelbësore të shoqërisë. Dobitë e përkushtimit tonë në zgjidhjen e këtyre problemeve janë më se të qarta.

Ndërsa Singulariteti po ofron do të jemi të detyruar t'i ripeshojmë idetë tona për natyrën e jetës njerëzore dhe t'i riplanifikojmë institucionet tona. Inteligjenca në Tokë dhe rreth saj do të vazhdojë të zhvillohet në mënyrë eksponenciale derisa t'i mbërrijmë limitet e materies dhe energjisë të nevojshme për të mbajtur gjallë kompjutimin inteligjent. Kur t'i afrohemi këtij kufiri në skutën tonë galaktike, inteligjenca e qytetërimit tonë do të zgjerohet në drejtim të jashtëm në pjesën tjetër të universit, duke arritur sakaq shpejtësinë më të madhe të mundshme. Me shpejtësi ne kuptojmë shpejtësinë e dritës, por ka sugjerime se ndoshta do të arrijmë të anashkalojmë këtë limit (me gjasë duke shfrytëzuar rrugë të shkurtra nëpërmes "vrimave krimbore," ose rrugëve të tjera hipotetike nëpër hapësirë dhe kohë.)

Ėshtë pikëpamje e zakonshme se shkenca në vazhdimësi e ka korrektuar mendimin tepër të fryrë për rëndësinë tonë të veçantë. Stephen Jay Gould ka thënë: "Revolucionet më të rëndësishme shkencore përfshijnë, si veçori e vetme e përbashkët e tyrja, çfronëzimin e arrogancës njerëzore nga piedestalet e njëpasnjëshme të bindjeve të mëparshme për rëndësinë tonë të veçantë në gjithësi."

Megjithatë, në fund na del se ne jemi të veçantë. Aftësia jonë për të krijuar modele të realitetit virtual – në trurin tonë, e kombinuar me gishtërinjtë tanë modestë, ka qenë e mjaftueshme për të përftuar një formë tjetër të evolucionit: teknologjinë. Ai zhvillim mundësoi vazhdimësinë e ritmit përshpejtues që filloi me evolucionin biologjik. Dhe do të vazhdojë derisa të gjithë universin ta kemi në majë të gishtave.

Përktheu: Arlind Boshnjaku
Burimi: http://www.kurzweilai.net/meme/frame.html?main=/articles/art0635.html


Creative Commons License
Ky material ėshtė i lėshuar nėn licensėn
Creative Commons (Attribution-ShareAlike) qė do tė thotė qė materiali mund tė kopjohet, shpėrndahet, ekspozohet, pėrdoret pėr punime rrjedhėse dhe nevoja komerciale pėrderisa: Ceket autori; Nė rast ndryshimi, lėshohet nėn po tė njejtat kushte. Autori/ja i/e kėtij materiali pajtohet automatikisht qė materiali tė lėshohet nėn kėtė licensė. Kushtet mund tė largohen vetėm me lejėn e autorit/es.
Mbi Pr-Tech | Kontaktet Copyright Pr-Tech® 2004 - 2014 Thanks to all that inspired, taught and helped push us forward...